Dienstag, 9. August 2011

Demokracia përfaqësuese apo klienteliste?

Demokracia përfaqësuese apo klienteliste?

Bekim Baliqi, Ph.D

Në politik ekziston shqetësimi i vazhdueshëm se “më shumë flitet se punohet”, prandaj prej atributeve kryesore të demokracisë, përveç lirisë së shprehjes është edhe pluralizmi, jo vetëm partiak por edhe te ideve e mendimeve politike edhe brenda tyre. Qëllimi i kësaj është nxitja e konkurrencës së shëndoshë dhe arritja e zgjidhjeve më të pranueshme e qëndrueshme për qytetaret.

Në demokracinë e drejtpërdrejte te Athinës antike, delegatet e popullit raportonin së paku dhjetë herë në vit para qytetarëve rreth punës së tyre. Edhe pse, ne sot jemi në kohëra tjera dhe me një demokraci përfaqësuese, parimi i llogaridhënies mbetet ende boshti i saj. Dhe kjo lidhet gjithashtu, me legjitimitetin nga ana e qytetarëve, me efikasitetin e qeverisjes dhe me përgjegjësin e pushtetarëve. Mirëpo, si të arrihet kjo nëse këta të fundit komunikojnë me popullin vetëm gjatë fushatave elektorale, edhe atë zakonisht përmes klipeve televizive ose nganjëherë edhe gjate pritjeve e përcjelljeve të zyrtareve të huaj.

Ndoshta kjo dukuri është me pak shqetësuese, sesa dilema se çfarë interesa mbrojnë subjektet politike nëse vet organizimi dhe financimi i tyre është tërësisht jo transparent? Ose sa mund partitive politike në Kosove të tolerojnë zëra të arsyeshëm e kritik brenda tyre? Mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, duke filluar kështu prej partive e deri te organet shtetërorë, rezultojnë si rrjedhojë edhe në akumulimin e problemeve të tjera serioze, si bie fjala pjesëmarrja e qytetareve në zgjedhje ose përfaqësimi i drejtë të interesave të tyre.

Përvojat dhe zhvillimet politike të deritashme në Kosovë, dëshmojnë se demokracia brendapartiake le shumë për të dëshiruar dhe se partitë favorizojnë grupe të caktuara e të vogla që kanë pushtet të pa kontestueshëm. Ndryshe, si mund të shpjegohet pasuria marramendëse materiale e përfaqësuesve të popullit në Kuvend ose funksionimi i partive politike me logjikën e bizneseve, që themelohen e drejtohen zakonisht në tërësi nga i njëjti pronar dhe rrethi më i ngushte i tij!?

Në këtë mënyrë ndikimi i shoqërisë dhe roli i saj në proceset politike margjinalizohet në atë mase sa që mbetet peng i “vullnetit të mirë” të udhëheqesis në luftimin e dukurive negative ose dhënien e llogarisë për (mos-)veprimet e tyre para qytetarëve. Kjo demokraci formale, në të cilën po jetojmë ka arrit që të krijoj një hendek aq të madh në mes të pushtetarëve, të cilët nga bartësit institucional janë shndërruar më shumë në pronar institucional, dhe në anën tjetër të pjesës dërmuese të shoqërisë, e cila po humb besimin ndaj vet shtetit dhe durimin ndaj politikave publike.

Për fat të keq, ndryshimet pozitive është vështirë për të u pritur përderisa në Kuvend janë një pjesë e madhe e atyre delegatëve (milionerë) të cilët e kane thuaja të pamundur të përfaqësojnë interesat e më shumë së gjysmës së popullit të cilët edhe zyrtarisht jetojnë në kufijtë e varfërisë. Kjo për faktin e thjeshte se ata në rend të parë do të mbrojnë e promovojnë ato politika të cilat i përshtaten bizneseve të tyre, sepse kyçja e tyre në politikë ka ardhur si pasoje e këtyre interesave të ngushta, si dhe vet arsyeja e ekzistencës së tyre politike buron nga këto grupe klienteliste e klanore që kanë qëllim të përbashkët sigurimin e pushtetit dhe rritjen e pasurisë.

Prandaj demokracia përfaqësuese po tingëllon shume ironike kur në fakt udhëzimet, ligjet dhe te gjitha politikat po bëhen për hir dhe interesa të kujt do tjetër përveç për ato të qytetareve prej të cilëve edhe janë përzgjedhur. Mos u befasoni, nëse Presidenti i ardhshëm i Kosovës nuk paraqet simbolin e unitetit por promotorin e mbrojtësin e atij grupimi politik e biznesor që do t´ia mundësoj këtë pozitë!

Cyberwar

Cyberwar ose Lufta nga Interneti

Bekim Baliqi, PhD

Ka studiues të cilët shkurtesën e njohur www, e që shqiptuar qëndron për rrjeti elektronik (ose i gjithëmbarshëm) botëror, e quajnë edhe world wide war, pra lufta elektronike botërore. Përveç tjerash kështu titullohet edhe vepra e fundit e ekspertit dhe ish-këshilltarit të lartë në disa administrata amerikane dhe në Shtëpinë e Bardhë, z. Richard Clarke.

Me kalimin në epokën digjitale, ndryshimet e shumta qe pasuan në shoqëri, ekonomi, teknologji dhe thuaja në të gjitha sferat e tjera të jetës, rezultuan me zbehjen e kufijve shtetëror dhe me një ri-përcaktim të relacioneve ndërkombëtare. Por duket se shumë më pak tërheqin vëmendjen e opinionit dhe politikbërësve dukuritë negative ose rreziqet potenciale që sjell me vete teknologjia informative.

Opinioni kosovar sikurse edhe institucionet e saja, patën rastin të ballafaqohen me një dukuri të këtillë, kur hakerët respektivisht piratet virtual serb sulmuan disa herë faqet zyrtare të internetit të qeverisë dhe presidencës së Kosovës në të kaluarën jo fort të largët. Edhe pse këto sulme ishin të shkurta dhe pa pasoja të renda, vet fakti që ndodhen dhe se ishte fare lehtë e mundshme te manipulojnë me këto webfaqe, tregon për rrezikun qe kanoset nga sulmet e tilla më të mëdha dhe rrezikshme në të ardhmen.

Paramendoni vetëm sulmet e mundshme në bazën e të dhënave të policisë, doganave, tash ne atë te regjistrimit të popullsisë apo edhe ne te gjithë rrjetin qeveritar përnjëherë, se cfare kaosi dhe cfare dëmesh do të shkaktoheshin.

Dhe kjo nuk është ndonjë nga skenarët e filmave ose romaneve fantastiko-shkencor, por sulme të tilla ndodhin ne realitet çdo ditë e më shumë. Ekspertet e kësaj fushe, argumentojnë me të drejte se terrorizmi kibernetikë dhe zhvendosja e luftës nga fushëbetejat e rëndomta luftash në rrjetin e teknologjisë informative është duke i sfiduar siguritë kombëtare dhe atë ndërkombëtare në tërësi.

Po përmendim sa për ilustrim sulmet me virusin kompjuterik te njohur si Stuxnet ne qendrat bërthamore të Iranit, sulmet në rrjetin e qeverise se Estonisë në vitin 2007 ose sulmet e njëpasnjëshme që vijnë ne faqe e baza te dhënash qeveritare e institucioneve financiare. Madje edhe specialistet e teknologjisë informative flasin për pamundësinë qe te garantohet mbrojtja e plote nga sulmet e tilla.

Por shtrohet pyetja, se sa është Kosova e përgatitur të mbrohet nga një luftë e këtij lloji? A ka qeveria dhe institucionet kompetente strategji vepruese dhe mbrojtëse si dhe kapacitete qe te ngrite gatishmërinë dhe ndaloj sulmet eventuale?

Përgjigja ne këto dhe pyetje tjera është me siguri vështirë te jepen tani, pa u ballafaquar njëmend me këtë problem, por le te shpresojmë vërtetë qe sulme te tilla te mos ndodhin pasi qe përmasa do te ishte e jashtëzakonshme dhe kërkimi i fajtoreve thuaja i pamundur.

Zbutja e njeiut.

Zbutja e njeriut- Ese filozofike

Bekim Baliqi, Ph.D

Nuk ka asgjë që të krijon më shumë dhimbje sesa njeriu. Këtë mendim e kishin filozofët, e dijetarët e ndryshëm për njeriun që nga periudha antike, e veçanërisht që nga Sofokliu e deri në periudhën e mesjetës së vonshme.

Me një ton shume më optimist e vështronin njeriun mendimtarët iluminist, se asgjë nuk të bën me të lumtur sesa njeriu. Pikërisht, ky dualizëm dhe kjo diskrepance e botëkuptimit të njerëzimit për vet natyrën e njeriut, ishte frymëzuesi dhe njëherë ngacmuesi më i madh i dijetareve, artistëve e kokave më të ndritura të saj. Inspirim i cili gjeti shprehje në trajta dhe mënyra të ndryshme si në filozofi, teologji po ashtu edhe në art.

Veçanërisht filozofia që kishte shprehur dashurinë e përkushtimin ndaj dijes, orvatej të sfidonte dilemën e hershme dhe vazhdueshme mbi karakterin e individit në veçanti, dhe të njeriut si qenie shoqërore në përgjithësi.

Raporti i individit me shoqërinë dhe rolit të tij në shoqëri, në trajtimet e shumta filozofike e teologjike, e posaçërisht në filozofinë politike, buronin nga premisa se me çfarë sysh shihej njeriu.

Polemikat etike e morale kishin jo vetëm ndikime në mendime politike por edhe pasoja në vet organizimin shoqëror e ekonomik, se këndejmi edhe në vet jetën politike.

Si mendimi politik i grekeve të antikitetit ashtu edhe romak e sidomos ai mesjetar, qëndrimet dhe arsyetimin për këtë e mbështetnin ne ligjërimin mbi njeriun mëkatar. Njeriu merr pjese në pushtetin tokësor dhe domosdoshmerisht është ana e keqe dhe e errët e atij hyjnor dhe të përbotshëm e që pason vetëm pas devotshmërisë ndaj këtij autoriteti, pra me vdekje. Kështu autoriteti e pushteti politik i udhëhequr nga njeriu për të sunduar njerëzit s’mund të jetë ndryshe përpos i dhunshëm e me këtë edhe i gabueshëm.

Qëllimi i politikës kështu ishte të gjendej mënyra më pak mëkatare, me pak e dhimbshme, si një e keqe e domosdoshme. Pavarësisht se si Platoni, Aristoteli e deri te Hobsi kishin propozime të ndryshme për lloje e forma më optimale qeverisjesh, perceptimi i tyre për njeriun vazhdonte të ishte thellësisht dyshues, në mos edhe anti-human. Kujtojmë për shembull, pikëpamjet e Aristotelit për skllevërit ose të Hobsit i cili pohonte se “njeriu për njeriun është ujk”, duke aluduar qartazi në egërsinë dhe pamëshirësinë e kësaj kafshe të demonizuar.

Nëse mund të përdorim alegorinë e zbutjes së kafshës së egër, prej nga edhe titulli i kësaj eseje, zbutja e njeriut para se të ndodhte në relacionin të sunduarit-sundues, ose feud- bujkrob, filloi me konceptimin dhe perceptimin për vetveten. Mjafton të ndalemi te konceptimi i seksualitetit te njeriu, të qëndrimeve ndaj trupit, ndjenjave e epsheve të tij/saj. Michel Foucault dhe shumë studiues të tjerë na e sqarojnë mjaft mirë historikisht dhe në trajtim filozofik, ndarjen mentale mes mishit e shpirtit, si keq e mirë, mëkat e devotshmëri, se të kesh ndjenja e t’i përjetosh ato do të thotë të besh mëkat.

Edhe kjo nuk ishte predikim vetëm nga dogmat fetare por edhe sanksionuar me dënime drakonike, jo rralle edhe me vdekje. Një këshilltari të mbretit rus Ivanit të tmerrshëm, një këshill moralizuese që i bëri atij, i kushtoj hiç më pak se me jetë, pasi që as mbretërit nuk donin e guxonin të bëheshin mëkatar, së paku jo publikisht.

Edhe pse ndoshta me më pak influence religjioze, debatet politike e shoqërore nuk po i shmangen polemikave e dilemave rreth natyrës së njeriut, duke u dominuar nga përgjithësimet e njëanshme me tendenca të demonizmit apo të akuzave të renda rreth karakterit të egër të njeriut. Ndërkaq, historia na e dëshmon se liria dhe frika ashtu sikurse edhe botëkuptimet pesimiste e optimiste mbi dhe për njeriun duhet të plotësojnë e jo të përjashtojnë njëra-tjetrën.

Sot, kur jemi të mbërthyer nga informatat e shpejta dhe të shumta, dhe kur jemi në fakt të mbi-lajmëruar më shumë sesa të informuar, reflektimi për veten dhe botën na mungon më shume së kurrë. Të jetosh në një epokë digjitale e globale, duket si luks i vërtetë reflektimi për çështje morale të njeriut. Duken ironike predikimet për mirësinë e njeriut, kur na shfaqen për çdo ditë në media, krimet më monstruoze dhe luftërat e përgjakshme gjithandej. Po ashtu paksa patetike debatet për këto çështje nga instancat moralizuese, të cilave jo rrallë herë ju mungon besueshmëria dhe sinqeriteti.

Dhe në të gjithë këtë lëmsh hamendësimesh, me gjithë dëshpërimet apo frymëzimet, njeriu vazhdon të jete një qenie që beson dhe lufton për sisteme vlerash që i duhen ndërgjegjes dhe vetëdijes se tij njerëzore. Prandaj, zbutja e njeriut nuk ka mbaruar dhe nuk do të mbaron për aq kohe sa do të ekzistoje dilema për njeriun, e me gjasë aq sa edhe do të ekzistoj vet njerëzimi.