Dienstag, 9. August 2011

Cyberwar

Cyberwar ose Lufta nga Interneti

Bekim Baliqi, PhD

Ka studiues të cilët shkurtesën e njohur www, e që shqiptuar qëndron për rrjeti elektronik (ose i gjithëmbarshëm) botëror, e quajnë edhe world wide war, pra lufta elektronike botërore. Përveç tjerash kështu titullohet edhe vepra e fundit e ekspertit dhe ish-këshilltarit të lartë në disa administrata amerikane dhe në Shtëpinë e Bardhë, z. Richard Clarke.

Me kalimin në epokën digjitale, ndryshimet e shumta qe pasuan në shoqëri, ekonomi, teknologji dhe thuaja në të gjitha sferat e tjera të jetës, rezultuan me zbehjen e kufijve shtetëror dhe me një ri-përcaktim të relacioneve ndërkombëtare. Por duket se shumë më pak tërheqin vëmendjen e opinionit dhe politikbërësve dukuritë negative ose rreziqet potenciale që sjell me vete teknologjia informative.

Opinioni kosovar sikurse edhe institucionet e saja, patën rastin të ballafaqohen me një dukuri të këtillë, kur hakerët respektivisht piratet virtual serb sulmuan disa herë faqet zyrtare të internetit të qeverisë dhe presidencës së Kosovës në të kaluarën jo fort të largët. Edhe pse këto sulme ishin të shkurta dhe pa pasoja të renda, vet fakti që ndodhen dhe se ishte fare lehtë e mundshme te manipulojnë me këto webfaqe, tregon për rrezikun qe kanoset nga sulmet e tilla më të mëdha dhe rrezikshme në të ardhmen.

Paramendoni vetëm sulmet e mundshme në bazën e të dhënave të policisë, doganave, tash ne atë te regjistrimit të popullsisë apo edhe ne te gjithë rrjetin qeveritar përnjëherë, se cfare kaosi dhe cfare dëmesh do të shkaktoheshin.

Dhe kjo nuk është ndonjë nga skenarët e filmave ose romaneve fantastiko-shkencor, por sulme të tilla ndodhin ne realitet çdo ditë e më shumë. Ekspertet e kësaj fushe, argumentojnë me të drejte se terrorizmi kibernetikë dhe zhvendosja e luftës nga fushëbetejat e rëndomta luftash në rrjetin e teknologjisë informative është duke i sfiduar siguritë kombëtare dhe atë ndërkombëtare në tërësi.

Po përmendim sa për ilustrim sulmet me virusin kompjuterik te njohur si Stuxnet ne qendrat bërthamore të Iranit, sulmet në rrjetin e qeverise se Estonisë në vitin 2007 ose sulmet e njëpasnjëshme që vijnë ne faqe e baza te dhënash qeveritare e institucioneve financiare. Madje edhe specialistet e teknologjisë informative flasin për pamundësinë qe te garantohet mbrojtja e plote nga sulmet e tilla.

Por shtrohet pyetja, se sa është Kosova e përgatitur të mbrohet nga një luftë e këtij lloji? A ka qeveria dhe institucionet kompetente strategji vepruese dhe mbrojtëse si dhe kapacitete qe te ngrite gatishmërinë dhe ndaloj sulmet eventuale?

Përgjigja ne këto dhe pyetje tjera është me siguri vështirë te jepen tani, pa u ballafaquar njëmend me këtë problem, por le te shpresojmë vërtetë qe sulme te tilla te mos ndodhin pasi qe përmasa do te ishte e jashtëzakonshme dhe kërkimi i fajtoreve thuaja i pamundur.

Keine Kommentare: