Dienstag, 9. August 2011

Demokracia përfaqësuese apo klienteliste?

Demokracia përfaqësuese apo klienteliste?

Bekim Baliqi, Ph.D

Në politik ekziston shqetësimi i vazhdueshëm se “më shumë flitet se punohet”, prandaj prej atributeve kryesore të demokracisë, përveç lirisë së shprehjes është edhe pluralizmi, jo vetëm partiak por edhe te ideve e mendimeve politike edhe brenda tyre. Qëllimi i kësaj është nxitja e konkurrencës së shëndoshë dhe arritja e zgjidhjeve më të pranueshme e qëndrueshme për qytetaret.

Në demokracinë e drejtpërdrejte te Athinës antike, delegatet e popullit raportonin së paku dhjetë herë në vit para qytetarëve rreth punës së tyre. Edhe pse, ne sot jemi në kohëra tjera dhe me një demokraci përfaqësuese, parimi i llogaridhënies mbetet ende boshti i saj. Dhe kjo lidhet gjithashtu, me legjitimitetin nga ana e qytetarëve, me efikasitetin e qeverisjes dhe me përgjegjësin e pushtetarëve. Mirëpo, si të arrihet kjo nëse këta të fundit komunikojnë me popullin vetëm gjatë fushatave elektorale, edhe atë zakonisht përmes klipeve televizive ose nganjëherë edhe gjate pritjeve e përcjelljeve të zyrtareve të huaj.

Ndoshta kjo dukuri është me pak shqetësuese, sesa dilema se çfarë interesa mbrojnë subjektet politike nëse vet organizimi dhe financimi i tyre është tërësisht jo transparent? Ose sa mund partitive politike në Kosove të tolerojnë zëra të arsyeshëm e kritik brenda tyre? Mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, duke filluar kështu prej partive e deri te organet shtetërorë, rezultojnë si rrjedhojë edhe në akumulimin e problemeve të tjera serioze, si bie fjala pjesëmarrja e qytetareve në zgjedhje ose përfaqësimi i drejtë të interesave të tyre.

Përvojat dhe zhvillimet politike të deritashme në Kosovë, dëshmojnë se demokracia brendapartiake le shumë për të dëshiruar dhe se partitë favorizojnë grupe të caktuara e të vogla që kanë pushtet të pa kontestueshëm. Ndryshe, si mund të shpjegohet pasuria marramendëse materiale e përfaqësuesve të popullit në Kuvend ose funksionimi i partive politike me logjikën e bizneseve, që themelohen e drejtohen zakonisht në tërësi nga i njëjti pronar dhe rrethi më i ngushte i tij!?

Në këtë mënyrë ndikimi i shoqërisë dhe roli i saj në proceset politike margjinalizohet në atë mase sa që mbetet peng i “vullnetit të mirë” të udhëheqesis në luftimin e dukurive negative ose dhënien e llogarisë për (mos-)veprimet e tyre para qytetarëve. Kjo demokraci formale, në të cilën po jetojmë ka arrit që të krijoj një hendek aq të madh në mes të pushtetarëve, të cilët nga bartësit institucional janë shndërruar më shumë në pronar institucional, dhe në anën tjetër të pjesës dërmuese të shoqërisë, e cila po humb besimin ndaj vet shtetit dhe durimin ndaj politikave publike.

Për fat të keq, ndryshimet pozitive është vështirë për të u pritur përderisa në Kuvend janë një pjesë e madhe e atyre delegatëve (milionerë) të cilët e kane thuaja të pamundur të përfaqësojnë interesat e më shumë së gjysmës së popullit të cilët edhe zyrtarisht jetojnë në kufijtë e varfërisë. Kjo për faktin e thjeshte se ata në rend të parë do të mbrojnë e promovojnë ato politika të cilat i përshtaten bizneseve të tyre, sepse kyçja e tyre në politikë ka ardhur si pasoje e këtyre interesave të ngushta, si dhe vet arsyeja e ekzistencës së tyre politike buron nga këto grupe klienteliste e klanore që kanë qëllim të përbashkët sigurimin e pushtetit dhe rritjen e pasurisë.

Prandaj demokracia përfaqësuese po tingëllon shume ironike kur në fakt udhëzimet, ligjet dhe te gjitha politikat po bëhen për hir dhe interesa të kujt do tjetër përveç për ato të qytetareve prej të cilëve edhe janë përzgjedhur. Mos u befasoni, nëse Presidenti i ardhshëm i Kosovës nuk paraqet simbolin e unitetit por promotorin e mbrojtësin e atij grupimi politik e biznesor që do t´ia mundësoj këtë pozitë!

Cyberwar

Cyberwar ose Lufta nga Interneti

Bekim Baliqi, PhD

Ka studiues të cilët shkurtesën e njohur www, e që shqiptuar qëndron për rrjeti elektronik (ose i gjithëmbarshëm) botëror, e quajnë edhe world wide war, pra lufta elektronike botërore. Përveç tjerash kështu titullohet edhe vepra e fundit e ekspertit dhe ish-këshilltarit të lartë në disa administrata amerikane dhe në Shtëpinë e Bardhë, z. Richard Clarke.

Me kalimin në epokën digjitale, ndryshimet e shumta qe pasuan në shoqëri, ekonomi, teknologji dhe thuaja në të gjitha sferat e tjera të jetës, rezultuan me zbehjen e kufijve shtetëror dhe me një ri-përcaktim të relacioneve ndërkombëtare. Por duket se shumë më pak tërheqin vëmendjen e opinionit dhe politikbërësve dukuritë negative ose rreziqet potenciale që sjell me vete teknologjia informative.

Opinioni kosovar sikurse edhe institucionet e saja, patën rastin të ballafaqohen me një dukuri të këtillë, kur hakerët respektivisht piratet virtual serb sulmuan disa herë faqet zyrtare të internetit të qeverisë dhe presidencës së Kosovës në të kaluarën jo fort të largët. Edhe pse këto sulme ishin të shkurta dhe pa pasoja të renda, vet fakti që ndodhen dhe se ishte fare lehtë e mundshme te manipulojnë me këto webfaqe, tregon për rrezikun qe kanoset nga sulmet e tilla më të mëdha dhe rrezikshme në të ardhmen.

Paramendoni vetëm sulmet e mundshme në bazën e të dhënave të policisë, doganave, tash ne atë te regjistrimit të popullsisë apo edhe ne te gjithë rrjetin qeveritar përnjëherë, se cfare kaosi dhe cfare dëmesh do të shkaktoheshin.

Dhe kjo nuk është ndonjë nga skenarët e filmave ose romaneve fantastiko-shkencor, por sulme të tilla ndodhin ne realitet çdo ditë e më shumë. Ekspertet e kësaj fushe, argumentojnë me të drejte se terrorizmi kibernetikë dhe zhvendosja e luftës nga fushëbetejat e rëndomta luftash në rrjetin e teknologjisë informative është duke i sfiduar siguritë kombëtare dhe atë ndërkombëtare në tërësi.

Po përmendim sa për ilustrim sulmet me virusin kompjuterik te njohur si Stuxnet ne qendrat bërthamore të Iranit, sulmet në rrjetin e qeverise se Estonisë në vitin 2007 ose sulmet e njëpasnjëshme që vijnë ne faqe e baza te dhënash qeveritare e institucioneve financiare. Madje edhe specialistet e teknologjisë informative flasin për pamundësinë qe te garantohet mbrojtja e plote nga sulmet e tilla.

Por shtrohet pyetja, se sa është Kosova e përgatitur të mbrohet nga një luftë e këtij lloji? A ka qeveria dhe institucionet kompetente strategji vepruese dhe mbrojtëse si dhe kapacitete qe te ngrite gatishmërinë dhe ndaloj sulmet eventuale?

Përgjigja ne këto dhe pyetje tjera është me siguri vështirë te jepen tani, pa u ballafaquar njëmend me këtë problem, por le te shpresojmë vërtetë qe sulme te tilla te mos ndodhin pasi qe përmasa do te ishte e jashtëzakonshme dhe kërkimi i fajtoreve thuaja i pamundur.

Zbutja e njeiut.

Zbutja e njeriut- Ese filozofike

Bekim Baliqi, Ph.D

Nuk ka asgjë që të krijon më shumë dhimbje sesa njeriu. Këtë mendim e kishin filozofët, e dijetarët e ndryshëm për njeriun që nga periudha antike, e veçanërisht që nga Sofokliu e deri në periudhën e mesjetës së vonshme.

Me një ton shume më optimist e vështronin njeriun mendimtarët iluminist, se asgjë nuk të bën me të lumtur sesa njeriu. Pikërisht, ky dualizëm dhe kjo diskrepance e botëkuptimit të njerëzimit për vet natyrën e njeriut, ishte frymëzuesi dhe njëherë ngacmuesi më i madh i dijetareve, artistëve e kokave më të ndritura të saj. Inspirim i cili gjeti shprehje në trajta dhe mënyra të ndryshme si në filozofi, teologji po ashtu edhe në art.

Veçanërisht filozofia që kishte shprehur dashurinë e përkushtimin ndaj dijes, orvatej të sfidonte dilemën e hershme dhe vazhdueshme mbi karakterin e individit në veçanti, dhe të njeriut si qenie shoqërore në përgjithësi.

Raporti i individit me shoqërinë dhe rolit të tij në shoqëri, në trajtimet e shumta filozofike e teologjike, e posaçërisht në filozofinë politike, buronin nga premisa se me çfarë sysh shihej njeriu.

Polemikat etike e morale kishin jo vetëm ndikime në mendime politike por edhe pasoja në vet organizimin shoqëror e ekonomik, se këndejmi edhe në vet jetën politike.

Si mendimi politik i grekeve të antikitetit ashtu edhe romak e sidomos ai mesjetar, qëndrimet dhe arsyetimin për këtë e mbështetnin ne ligjërimin mbi njeriun mëkatar. Njeriu merr pjese në pushtetin tokësor dhe domosdoshmerisht është ana e keqe dhe e errët e atij hyjnor dhe të përbotshëm e që pason vetëm pas devotshmërisë ndaj këtij autoriteti, pra me vdekje. Kështu autoriteti e pushteti politik i udhëhequr nga njeriu për të sunduar njerëzit s’mund të jetë ndryshe përpos i dhunshëm e me këtë edhe i gabueshëm.

Qëllimi i politikës kështu ishte të gjendej mënyra më pak mëkatare, me pak e dhimbshme, si një e keqe e domosdoshme. Pavarësisht se si Platoni, Aristoteli e deri te Hobsi kishin propozime të ndryshme për lloje e forma më optimale qeverisjesh, perceptimi i tyre për njeriun vazhdonte të ishte thellësisht dyshues, në mos edhe anti-human. Kujtojmë për shembull, pikëpamjet e Aristotelit për skllevërit ose të Hobsit i cili pohonte se “njeriu për njeriun është ujk”, duke aluduar qartazi në egërsinë dhe pamëshirësinë e kësaj kafshe të demonizuar.

Nëse mund të përdorim alegorinë e zbutjes së kafshës së egër, prej nga edhe titulli i kësaj eseje, zbutja e njeriut para se të ndodhte në relacionin të sunduarit-sundues, ose feud- bujkrob, filloi me konceptimin dhe perceptimin për vetveten. Mjafton të ndalemi te konceptimi i seksualitetit te njeriu, të qëndrimeve ndaj trupit, ndjenjave e epsheve të tij/saj. Michel Foucault dhe shumë studiues të tjerë na e sqarojnë mjaft mirë historikisht dhe në trajtim filozofik, ndarjen mentale mes mishit e shpirtit, si keq e mirë, mëkat e devotshmëri, se të kesh ndjenja e t’i përjetosh ato do të thotë të besh mëkat.

Edhe kjo nuk ishte predikim vetëm nga dogmat fetare por edhe sanksionuar me dënime drakonike, jo rralle edhe me vdekje. Një këshilltari të mbretit rus Ivanit të tmerrshëm, një këshill moralizuese që i bëri atij, i kushtoj hiç më pak se me jetë, pasi që as mbretërit nuk donin e guxonin të bëheshin mëkatar, së paku jo publikisht.

Edhe pse ndoshta me më pak influence religjioze, debatet politike e shoqërore nuk po i shmangen polemikave e dilemave rreth natyrës së njeriut, duke u dominuar nga përgjithësimet e njëanshme me tendenca të demonizmit apo të akuzave të renda rreth karakterit të egër të njeriut. Ndërkaq, historia na e dëshmon se liria dhe frika ashtu sikurse edhe botëkuptimet pesimiste e optimiste mbi dhe për njeriun duhet të plotësojnë e jo të përjashtojnë njëra-tjetrën.

Sot, kur jemi të mbërthyer nga informatat e shpejta dhe të shumta, dhe kur jemi në fakt të mbi-lajmëruar më shumë sesa të informuar, reflektimi për veten dhe botën na mungon më shume së kurrë. Të jetosh në një epokë digjitale e globale, duket si luks i vërtetë reflektimi për çështje morale të njeriut. Duken ironike predikimet për mirësinë e njeriut, kur na shfaqen për çdo ditë në media, krimet më monstruoze dhe luftërat e përgjakshme gjithandej. Po ashtu paksa patetike debatet për këto çështje nga instancat moralizuese, të cilave jo rrallë herë ju mungon besueshmëria dhe sinqeriteti.

Dhe në të gjithë këtë lëmsh hamendësimesh, me gjithë dëshpërimet apo frymëzimet, njeriu vazhdon të jete një qenie që beson dhe lufton për sisteme vlerash që i duhen ndërgjegjes dhe vetëdijes se tij njerëzore. Prandaj, zbutja e njeriut nuk ka mbaruar dhe nuk do të mbaron për aq kohe sa do të ekzistoje dilema për njeriun, e me gjasë aq sa edhe do të ekzistoj vet njerëzimi.

Freitag, 9. November 2007

Sa shumë politikë duron ky popull?!

Bekim Baliqi

Shumica e qytetarëve sot në Kosovë mezi presin që fushata e zhurmshme dhe për rrethana kosovare bile edhe shtrenjtë të mbaron më në fund. Një pjesë e së cilëve të indinjuar nga monotonia e vetëlavdërimeve, nga poshtërsia e sharjeve të ndërsjella dhe nga shumë premtime fantazme, me gjasë as që do të dalin fare në zgjedhje. Kjo fushatë, nuk po i ngjason aspak një gare të mirëfilltë demokratike, në fakt po duket si ato ndeshjet e ligës futbollistike ku nuk dihet a fitoj një ekip për shkak lojës së mirë, ose për arsye se ekipi kundërshtar ishte tejet i dobët apo edhe sepse loja ishte e shitur paraprakisht. Ndoshta ky krahasim është pak banal, por me siguri jo edhe sa këto zgjedhje!
Pyetjes; pse kjo shoqëri është bërë politikisht e dezorientuar dhe e kontaminuar nga partitë, nuk është aspak lehtë t´iu përgjigjët. Sepse ne këtë pyetje ka shume përgjigje, secila e arsyeshme në mënyrë të vet. Sigurisht për një shpjegim më të denjë, do te duheshin studime të thella shkencore, por zakonisht përgjigjet më të thjeshta janë edhe ato më të shpeshtat e nganjëherë edhe më të drejtat. Kështu, me se shpeshti dëgjohet indinjata politike përmes fjalisë, se të gjithë politikanët janë njësoj dhe se s´ka kurrfarë zgjedhje, apo pak më sqaruese se s´ka kandidat dinjitoz dhe kompetent për të cilët ia vlen votuar. Natyrisht këso lloj mendime të gjeneralizuara ngërthejnë në vete shumë paragjykime. Mirëpo, sido që të jetë arsyetimi i dëshpërimit, një gjë shumë të rëndësishme e venë qartë në pah kjo. Se politika në Kosovën e sotme është zhveshur nga përmbajtja dhe qëllimi i ekzistencës së vet. E kjo do të duhej të ishte mirëqenia dhe zhvillimi shoqëror, pastaj siguria, barazia dhe të drejtat qytetare. Por si të i arrin këto qëllime bazike politika kosovare, kur nuk ka as suaza për këtë, pra s´ka shtet ende por protektorat. A nuk janë këta politikan ata që sa here dalin në zgjedhje premtojnë se janë “krushqit” e pavarësisë? Politikani tradicional në Kosovë e ka humbur kapitalin kryesor që e ka, prej së cilit varet edhe çdo politikan në mbarë rruzullin tokësor, pra kredibilitetin e tij. Përkundër kësaj, kjo klasë politikanësh vazhdojnë karrierën e tyre politike edhe pas zgjedhjeve, me apo pa shumë ndryshime në vota. Dhe kjo është ai përçudnimi tipik kosovar i politikës që askund në literaturën shkencore si e tillë dhe gati në asnjë vend tjetër të botes në këtë formë nuk gjendet.
Çka duhet të jetë shkaktar i kësaj “abnormaliteti demokratik”?
Në rend të parë duhet vështruar konstelacionin e sistemit politik kosovar, respektivisht politikbërjen e partive politike. Programet e pjesës dërmuese së cilëve nuk dallojnë edhe shumë nga fushatat e tyre elektorale. Ato janë gjithëpërfshirëse, pa ndonjë veçanti organizative apo pa diskurs të theksuar politik. Përkundër emërtimeve të tyre përkëdhelëse, ato në esence s´janë edhe aq demokratike. Vetëm formalisht janë ato demokratike, sepse secila prej tyre nuk ka pas zhvillim të duhur politiko-ideologjik. Pa hyrë në detaje të historikut të tyre, atyre iu mungon thjesht tradita demokratike, ngase nuk janë formuar në bazë të vlerave apo botëkuptimeve politike, të ndonjë ideologjie ose pikëpamje të veçante por në bazë të vullnetit, dëshirës dhe interesave të kryetarit të saj apo edhe grupit të ngushte përreth tij. Ky Lider është i plotfuqishëm dhe në një mënyrë pronar i partisë me të drejta të pakufizuara. Mandati i tij zakonisht nuk rregullohet sipas statutit të partisë apo ndonjë akti juridik por vazhdohet sikur në kongreset komuniste, në mënyrë të votimeve unanime me një apo asnjë votë kundër, sa here që ka nevojë formale për këtë. Gjithashtu kritikat kundër politikës së tij i kushtojnë secilit anëtar të partisë me përjashtime ose në raste optimale me degradim pozite. Fakti që u deshtë me u rrahë dhe me u sha gjatë “testit demokratik”, vetëm sepse kishte fraksione që mendonin ndryshe brenda partisë e sqaron perceptimin “demokratik” të politikaneve kosovar. Që nëse do të e parafrazonim Weberin në kontekstin tonë, ky lloj i politikanit do të duhej të ishte një Super-despot. Ky sistem partiak dhe mënyra e mobilizimit të tyre ka ndikuar në anën tjetër, që edhe pjesa e tjetër e shoqërisë, përtej asaj që te ne quhet gabimisht elita politike, të rreshtohet dhe të vrapoj pas tyre qoftë në formën e kinse-“spin doktorëve” si këshilltar, zëdhënës pa zë , si “diçka qaty” apo edhe të e provojnë fatin e tyre me ndonjë kandidaturë. Prandaj ky lëmsh, ku çdokush është pas dikujt dhe pa e ditur mirë pse e në çfarë cilësie ka shkaktuar një deformim të shoqërisë, duke ia larguar mundësinë e kritikes objektive dhe të votimit racional pa e “shitur” votën për premtime dhe shpresa të përfitimit personal e familjar.
Dhe fakti i tretë që kontribuon në hutimin e zgjedhësit janë mediet, që kanë influencë të madhe në vendimin e elektoratit dhe në krijim e atmosferës pro- dhe kundër- një ose më shumë subjekteve politike. Afërsia apo edhe varësia e tyre- qoftë e hapur qoftë latente, me ndonjë parti ose me grupe të interesit qe i përkasin një partie të caktuar ka quar në favorizimin apo disfavorizimin e një spektri politik apo edhe deri në fanatizmin partiak. Bile edhe sondazhet elektorale janë bërë sikur me parapagim dhe vështirë se mund të jenë objektive në këtë vend ku çdo gjë shitet dhe blihet me pare.
Këto rrjedha të brendshme politike e sidomos tash para zgjedhjeve kanë bërë të qartë shumë anomali në këtë shoqëri dhe e kanë degraduar politikën deri në demagogji të thatë. Kjo jo veç që tregon më së miri për mjerimin politik por ilustron qartë se politika e tanishme kosovare në fakt është një parapolitikë dhe se kjo shoqëri deri në vetëdijesimin e saj të plotë dhe emancipimin demokratik do të duron ende këtë lloj (para-) politike.

Pse Prishtines do t´i mungoj nje "Edi Rama"?

Bekim Baliqi

Kryebashkiaku i Tiranës ka krijuar një lloj dhe format të ri politikani, i cili është i njohur për këtë edhe përtej kufijve shqiptarë. Vendosmëria e tij politike, guximi qytetar dhe kreativiteti i tij urbanistik prej një artisti, ka bërë që Edi Rama t´ia jep Tiranës pamjen e një qyteti modern evropian. Megjithëse edhe politika e tij s´është krejtësisht pa gabime, pretenduesit për kryetar të Komunës së Prishtinës, mund vetëm të i fantazojnë dhe ëndërrojnë të arriturat e tij në Tiranë.
Arsyeja e parë dhe kryesore për këtë është se kandidatet e Prishtinës, por edhe të Komunave tjera, janë dhe do të jene të influencuar e madje edhe të dirigjuar nga shefat e tyre partiak si dhe nga grupet e interesave brenda partisë, sa që asnjë vendim s´do të mund të arrihet pa “konsultime” me këta të fundit. Do të thotë, se Kryetari i ardhshëm do të varet për çdo gjë dhe gjatë tërë mandatit të tij nga interesat politiko-ekonomike jashtë komunale, e kjo s´do të lejoj as që të kryej punën si duhet e as sa duhet, prandaj s´do të mund të jetë në shërbim të qytetareve por grupeve të caktuara.
Çështja tjetër pse Prishtina s´do të ketë Kryetar të duhur, është se duke qenë me duar të lidhura nga partia, ai s´do të mund të fokusohet në evitimin e gabimeve të deritashme (lexo: kaosit urbanistik) dhe të veproje fuqishëm në këtë drejtim, pa pasur nevojë që paraprakisht të i balancoj kërkesat dhe interesat e njerëzve që e sollën aty. Kështu që politika komunale do të jete qysh në start e hendikepuar dhe e instrumentalizuar nga qarqet e ndryshme partiake e të biznesit. Qarqe të cilat realisht janë pushtetmbajtës të padukshëm në Kosovë dhe janë bërë si të tillë të pakapërcyeshme edhe për faktorin ndërkombëtar. Kandidatet për Prishtinë nuk kanë guxim e as do të kenë vendosmëri për të u përballur me dukuritë negative që po e fundosin një qytet të tërë. Ata deri tani aspak s´kane dëshmuar se mund të kundërshtojnë gjëra të tilla, së paku ajo pjesë e kandidatëve që kishte hapësirë politike për të ndërmarrë diçka në këtë drejtim. Problemet e akumuluara në qytet vite me radhë kërkojnë veprime të shpejta dhe vendime të duhura. Këta kandidat s´ta mbushin fort syrin se kanë atë aftësi menagjeriale që të koordinojnë punët dhe të bashkëpunojnë me të gjithë faktorët relevant. Kalkulimet politike që do të i bëjnë në të ardhmen s´do të ia mundësojnë një gjë të tillë. Kjo s´do të thotë assesi se këta s´janë të aftë apo se nuk e meritojnë për të qenë Kryetar komune, por vetëm që hapësira e veprimit të tyre politik do të jetë e kufizuar, gjë e cila do të ndikoj shumë në punën e tij të ardhshme. Kurse Prishtinës i duhet më shumë se gjithçka tjetër një Udhëheqës komunal në shërbim të qytetarëve dhe që është punëtor e i guximshëm në veprime të drejta. E në asnjë mënyrë aso Kryetarësh që do të i kënaqin interesat e partive dhe miqve të vet. Prishtina s´ka nevoje për rruge graniti, së paku jo tash kur uji, rryma, trotuaret, dritat, parqet, nevojtoret-publike dhe çdo gjë tjetër qe e përbën një qytet na mungojnë.

Botuar ne:
Express 06.10.2007

Adios Kosove unike


Bekim BALIQI

Qytetari i rendomte i Kosoves nuk ka nevoje te kete ndonje prirje te vecuar per politike e as te jete analist qe te kuptoj ecurine e tanishme politike. Krejt cka duhet eshte, te i kujtojme deklaratat e aktereve politike dhe keto te i kuptojme mbrapsht. Keshtu p.sh. kur pohonin se nuk ka decentralizim ne baza etnike ajo vecse ishte kryer, sikurse kur deklaronin se s´ka prolongime ato vec ishin pune e mbaruar e gjithashtu kur betoheshin se jane te paster si loti dhe keqperdorimet zyrtare dilnin si ato te ministrave sierra leonez. Me fjale te tjera duhet dyshuar seriozishte ne sinqeritetin e tyre. Sepse sic tregon pervoja e deritashme, ne perceptimin e kesaj klase politike e verteta nuk shihet si virtyt e as si obligim kushtetues por ne frazen makiavelliane si esenca e te berit politike dhe qellimi i saj. Ne kete konceptim sa me mire qe e dredh rrenen je aq edhe politikan me i mire. Etika politike mirret paradoksalisht si mesim filozofik dhe morali si dicka qe s´ka vend ne politike! Sidoqofte, ky lloj politike si biznes dhe biznesi si sistem mafios eshte kaptine ne vete.
Koheve te fundit ne diskursin politik perhere e me shpeshe po behet fjale per terresine territoriale dhe pacenueshmerine e Kosoves. Politikanet po na premtojne se nuk do te kete ndarje te Kosoves. Si duhet te e kuptojme kete tash, kur te gjitha premtimet e dhena as per se afermi nuk i permbushet? Zoteri a jeni te vetedijshem se pervec fjaleve te kota, nuk keni realishte asgje tjeter ne dore. A e keni pyetur vehten sa here keni qene pas luftes ne pjesen veriore te Kosoves. Dhe a ju kujtohet vertete se cka ndermorret konkretisht te e bashkoni Mitrovicen, ketu nuk mendoj kur e kendoni refrenin e Shkurte Fejzes.
Gjithashtu duhet pranuar se ndarja territoriale nuk ka qene vetem fantazme e politikes Serbe, ajo eshte shtruar si njera nga opsionet e zgjidhjes se Kosoves shpeshe edhe ne qarqe te ndryshme nderkombetare. Politikanet ne Prishtine, kete rrezik potencial e kane marre vazhdimishte me nje lehtesi duke e injoruar kete problem si nje ceshtje qe do te zgjidhet vetvetiu. Nje qasje qe e kultivojne edhe per qindra probleme tjera duke ia u lene fatit te kohes.
Ata besojne se bashkesia nderkombetare ju garanton teresine e vendit, gje qe per dyqind e sa hektaret e humbura u vertetua e kunderta. Ne vendet normale ku demokracia nuk eshte vetem ne leter, nje disfate e tille do te kishte qene goxha shpejte pjese e historise se mjere dhe te dhimbshme. Kurse ne Kosove, politikanet rrahin ende gjoks se do ta sjellin pavaresine. Cfare ironie, ata qe kane nenshkruar lloj-lloj dokumentash e marreveshjes qe nga Rambujeja, ku parashihej Referendumi popullor pas tre vjeteve, ata qe e firmosen Kornizen kushtetuese pa kontrolluar nje te treten e vendit, ata qe pranuan eksperimentet ma coroditese per decentralizim dhe ata qe pranuan paketen e Ahtisaarit ende pa e lexuar mire, sot na sigurojne se cdo gje eshte ne rregull. Me te vertete duhet qene cinik i madhe apo genjeshtar ordinar, nese shkohet ne negociata te reja dhe te thuhet se nuk do bisedojme per mundesine e ndarjes. Ne qarqet diplomatike eshte njohtuar qysh me heret se kjo do te jete nje nga temat e bisedime te ardhshme, andaj nuk duhet te jete ndonje sekret i madh as ne Prishtine ky realitet i ri. Deklaratat e vazhdueshme dhe monotone te politikaneve kosovare se po e presim njohjen formale, tash do te merr nje kahje tjeter, tash fatkeqesishte do te del nga goja e pales Serbe e cila do te thote, se po e presin vetem pranimin formal te ndarjes.
Cka do te na thoni pastaj?

Demokracia e Rrejshme

Bekim BALIQI
Kushdo që merret përnjëmend me studime politike, mund të vërtetoj se sa vështirë është të përkufizohet demokracia. Aq më tepër, sa vështirë është të jetësohet ajo. Përveç tjerash, edhe për arsyen se ajo perceptohet nga vendi në vend ndryshe dhe praktikohet nga politikanët në forma të ndryshme. Veçanërisht vendet në tranzicion, e kane shumë vështirë të konsolidojnë demokracinë, e sidomos atëherë kur klasa politike nuk është aq e përgjegjshme dhe e zellshme. Për të mos teoretizuar dhe elaboruar më gjerësisht në këtë teme aq komplekse, na duhet veç një vështrim i shkurtë analitik i kampanjës parazgjedhore. Kjo fushatë ilustron më së miri nivelin e demokracisë sonë kosovare.
Le te kuptohemi, fushata parazgjedhore kudo ne bote është një lloj cirkusi politik me shumë inskenime, vetëlavdërime dhe show-a partiake. Por në krahasim prej tyre, kjo në Kosovë ka “ëmbëlsira” parazgjedhore që janë vetëm te imagjinuara dhe me premtime të hiperbolizuara. Kandidatët premtojnë thuaja njëzëri, çudira ekonomike, ulje radikale të papunësisë, rrugë nga më të modernet, arsim shumë të avancuar etj. Por askush prej tyre nuk sqaron konkretisht dhe në mënyre të besueshme se si vallë do ti arrinin të gjitha këto. Si do ta financonin infrastrukturën rrugore në vlerë miliardësh, aq me tepër si do ta luftonin korrupsionin ata që ndërtuan vila marramendëse brenda një mandati të vetëm! Këto dhe shume dilema të tjera neveritëse, kane rezultuar nga një mendësi hipokrizie dhe nga një demokraci e rrejshme në protektoratin e quajtur Kosovë. Se me çfarë ofertash kane hyrë partitë politike në këto zgjedhje flasin vet sloganet e tyre më së miri. Pjesa më e madhe e parullave dhe thirrjeve të tyre janë jo vetëm futuristike, por edhe shumë ironike për vendin më të varfër në Evropë, siç është Kosova. Bile disa parti, e shohin veten në një lloj misionimi kuazi-hyjnor, kur na dëftojnë se cila është rruga e drejtë dhe se sa afër parajsës do jemi me ta. Me ata qe po e sjellin dalëngadalë ketë vend para një lufte qytetare, do te jemi në fakt me afër ferrit. Të tjerët, mundohen që t´ia kthejnë krenarin një shoqërie e cila edhe këtë vit mbetet pa pavarësinë aq shume të premtuar, një shoqërie të lodhur nga një politik shterpe, një shoqërie të gërditur nga atdheu i vet sherri i një politike të keqe. Partitë tjera gjithashtu demonstrojnë kreativitetin e tyre artistik duke thurur vargje me dëshira të panumërta dhe ëndrra të ëmbla për qytetarët. Gjëra që nga perspektiva e tashme (pa rrymë, ujë dhe ndoshta edhe pa bukë) mbetet një sarkazëm i llojit të vet.
Derisa ajo pjesë e së ashtuquajturës “shoqëri civile”, u shit për ndonjë pozitë të premtuar, për inate të ngushta politike apo thjeshte për lakmi të pushtetit. Pjesa tjetër po ballafaqohet ende me dilemën e bojkotit apo pjesëmarrjes në këto zgjedhje dhe po demonstron pafuqinë reale të saj për të përmirësuar politikën në vend dhe për demokratizimin e shoqërisë. Sepse varësia e tyre nga donatorët, frika nga “pozicionimi” i gabueshëm dhe dominimi i medieve nga partitë politike, e ngulfaten gati çdo iniciative të mirëfillte deri në margjina qesharake. Sidoqoftë, çka na duhet vërtete neve sot, nuk janë parajsat e premtuara, as dyfishime buxheti ne letër, por ofertë të realizueshme dhe me plan konkret siç bëhet gjithkund në botën normale. Të debatohet e diskutohet me argumente për ngritje-ulje tatimore, për reforma administrative, për sistemin gjyqësorë, për politiken sociale etj. Dhe vetëm atëherë mund te flitet për një fillim te demokracisë dhe për zhvillim të mirëfilltë të politikbërjes. Sepse, nëse demokracia nënkupton sundimin e popullit, deri sot këta politikan kane ikur prej tij si prej dreqit. E neve na mbetet vetëm të shpresojmë se afërsia dhe hapja e partive nuk do të ndodh veç gjatë fushatave parazgjedhore. Dhe se vota jonë do të e ndryshoj vërtete këtë trend negativ të deritashëm në politik.