Freitag, 9. November 2007

Pse Prishtines do t´i mungoj nje "Edi Rama"?

Bekim Baliqi

Kryebashkiaku i Tiranës ka krijuar një lloj dhe format të ri politikani, i cili është i njohur për këtë edhe përtej kufijve shqiptarë. Vendosmëria e tij politike, guximi qytetar dhe kreativiteti i tij urbanistik prej një artisti, ka bërë që Edi Rama t´ia jep Tiranës pamjen e një qyteti modern evropian. Megjithëse edhe politika e tij s´është krejtësisht pa gabime, pretenduesit për kryetar të Komunës së Prishtinës, mund vetëm të i fantazojnë dhe ëndërrojnë të arriturat e tij në Tiranë.
Arsyeja e parë dhe kryesore për këtë është se kandidatet e Prishtinës, por edhe të Komunave tjera, janë dhe do të jene të influencuar e madje edhe të dirigjuar nga shefat e tyre partiak si dhe nga grupet e interesave brenda partisë, sa që asnjë vendim s´do të mund të arrihet pa “konsultime” me këta të fundit. Do të thotë, se Kryetari i ardhshëm do të varet për çdo gjë dhe gjatë tërë mandatit të tij nga interesat politiko-ekonomike jashtë komunale, e kjo s´do të lejoj as që të kryej punën si duhet e as sa duhet, prandaj s´do të mund të jetë në shërbim të qytetareve por grupeve të caktuara.
Çështja tjetër pse Prishtina s´do të ketë Kryetar të duhur, është se duke qenë me duar të lidhura nga partia, ai s´do të mund të fokusohet në evitimin e gabimeve të deritashme (lexo: kaosit urbanistik) dhe të veproje fuqishëm në këtë drejtim, pa pasur nevojë që paraprakisht të i balancoj kërkesat dhe interesat e njerëzve që e sollën aty. Kështu që politika komunale do të jete qysh në start e hendikepuar dhe e instrumentalizuar nga qarqet e ndryshme partiake e të biznesit. Qarqe të cilat realisht janë pushtetmbajtës të padukshëm në Kosovë dhe janë bërë si të tillë të pakapërcyeshme edhe për faktorin ndërkombëtar. Kandidatet për Prishtinë nuk kanë guxim e as do të kenë vendosmëri për të u përballur me dukuritë negative që po e fundosin një qytet të tërë. Ata deri tani aspak s´kane dëshmuar se mund të kundërshtojnë gjëra të tilla, së paku ajo pjesë e kandidatëve që kishte hapësirë politike për të ndërmarrë diçka në këtë drejtim. Problemet e akumuluara në qytet vite me radhë kërkojnë veprime të shpejta dhe vendime të duhura. Këta kandidat s´ta mbushin fort syrin se kanë atë aftësi menagjeriale që të koordinojnë punët dhe të bashkëpunojnë me të gjithë faktorët relevant. Kalkulimet politike që do të i bëjnë në të ardhmen s´do të ia mundësojnë një gjë të tillë. Kjo s´do të thotë assesi se këta s´janë të aftë apo se nuk e meritojnë për të qenë Kryetar komune, por vetëm që hapësira e veprimit të tyre politik do të jetë e kufizuar, gjë e cila do të ndikoj shumë në punën e tij të ardhshme. Kurse Prishtinës i duhet më shumë se gjithçka tjetër një Udhëheqës komunal në shërbim të qytetarëve dhe që është punëtor e i guximshëm në veprime të drejta. E në asnjë mënyrë aso Kryetarësh që do të i kënaqin interesat e partive dhe miqve të vet. Prishtina s´ka nevoje për rruge graniti, së paku jo tash kur uji, rryma, trotuaret, dritat, parqet, nevojtoret-publike dhe çdo gjë tjetër qe e përbën një qytet na mungojnë.

Botuar ne:
Express 06.10.2007

Keine Kommentare: