Freitag, 9. November 2007

Sa shumë politikë duron ky popull?!

Bekim Baliqi

Shumica e qytetarëve sot në Kosovë mezi presin që fushata e zhurmshme dhe për rrethana kosovare bile edhe shtrenjtë të mbaron më në fund. Një pjesë e së cilëve të indinjuar nga monotonia e vetëlavdërimeve, nga poshtërsia e sharjeve të ndërsjella dhe nga shumë premtime fantazme, me gjasë as që do të dalin fare në zgjedhje. Kjo fushatë, nuk po i ngjason aspak një gare të mirëfilltë demokratike, në fakt po duket si ato ndeshjet e ligës futbollistike ku nuk dihet a fitoj një ekip për shkak lojës së mirë, ose për arsye se ekipi kundërshtar ishte tejet i dobët apo edhe sepse loja ishte e shitur paraprakisht. Ndoshta ky krahasim është pak banal, por me siguri jo edhe sa këto zgjedhje!
Pyetjes; pse kjo shoqëri është bërë politikisht e dezorientuar dhe e kontaminuar nga partitë, nuk është aspak lehtë t´iu përgjigjët. Sepse ne këtë pyetje ka shume përgjigje, secila e arsyeshme në mënyrë të vet. Sigurisht për një shpjegim më të denjë, do te duheshin studime të thella shkencore, por zakonisht përgjigjet më të thjeshta janë edhe ato më të shpeshtat e nganjëherë edhe më të drejtat. Kështu, me se shpeshti dëgjohet indinjata politike përmes fjalisë, se të gjithë politikanët janë njësoj dhe se s´ka kurrfarë zgjedhje, apo pak më sqaruese se s´ka kandidat dinjitoz dhe kompetent për të cilët ia vlen votuar. Natyrisht këso lloj mendime të gjeneralizuara ngërthejnë në vete shumë paragjykime. Mirëpo, sido që të jetë arsyetimi i dëshpërimit, një gjë shumë të rëndësishme e venë qartë në pah kjo. Se politika në Kosovën e sotme është zhveshur nga përmbajtja dhe qëllimi i ekzistencës së vet. E kjo do të duhej të ishte mirëqenia dhe zhvillimi shoqëror, pastaj siguria, barazia dhe të drejtat qytetare. Por si të i arrin këto qëllime bazike politika kosovare, kur nuk ka as suaza për këtë, pra s´ka shtet ende por protektorat. A nuk janë këta politikan ata që sa here dalin në zgjedhje premtojnë se janë “krushqit” e pavarësisë? Politikani tradicional në Kosovë e ka humbur kapitalin kryesor që e ka, prej së cilit varet edhe çdo politikan në mbarë rruzullin tokësor, pra kredibilitetin e tij. Përkundër kësaj, kjo klasë politikanësh vazhdojnë karrierën e tyre politike edhe pas zgjedhjeve, me apo pa shumë ndryshime në vota. Dhe kjo është ai përçudnimi tipik kosovar i politikës që askund në literaturën shkencore si e tillë dhe gati në asnjë vend tjetër të botes në këtë formë nuk gjendet.
Çka duhet të jetë shkaktar i kësaj “abnormaliteti demokratik”?
Në rend të parë duhet vështruar konstelacionin e sistemit politik kosovar, respektivisht politikbërjen e partive politike. Programet e pjesës dërmuese së cilëve nuk dallojnë edhe shumë nga fushatat e tyre elektorale. Ato janë gjithëpërfshirëse, pa ndonjë veçanti organizative apo pa diskurs të theksuar politik. Përkundër emërtimeve të tyre përkëdhelëse, ato në esence s´janë edhe aq demokratike. Vetëm formalisht janë ato demokratike, sepse secila prej tyre nuk ka pas zhvillim të duhur politiko-ideologjik. Pa hyrë në detaje të historikut të tyre, atyre iu mungon thjesht tradita demokratike, ngase nuk janë formuar në bazë të vlerave apo botëkuptimeve politike, të ndonjë ideologjie ose pikëpamje të veçante por në bazë të vullnetit, dëshirës dhe interesave të kryetarit të saj apo edhe grupit të ngushte përreth tij. Ky Lider është i plotfuqishëm dhe në një mënyrë pronar i partisë me të drejta të pakufizuara. Mandati i tij zakonisht nuk rregullohet sipas statutit të partisë apo ndonjë akti juridik por vazhdohet sikur në kongreset komuniste, në mënyrë të votimeve unanime me një apo asnjë votë kundër, sa here që ka nevojë formale për këtë. Gjithashtu kritikat kundër politikës së tij i kushtojnë secilit anëtar të partisë me përjashtime ose në raste optimale me degradim pozite. Fakti që u deshtë me u rrahë dhe me u sha gjatë “testit demokratik”, vetëm sepse kishte fraksione që mendonin ndryshe brenda partisë e sqaron perceptimin “demokratik” të politikaneve kosovar. Që nëse do të e parafrazonim Weberin në kontekstin tonë, ky lloj i politikanit do të duhej të ishte një Super-despot. Ky sistem partiak dhe mënyra e mobilizimit të tyre ka ndikuar në anën tjetër, që edhe pjesa e tjetër e shoqërisë, përtej asaj që te ne quhet gabimisht elita politike, të rreshtohet dhe të vrapoj pas tyre qoftë në formën e kinse-“spin doktorëve” si këshilltar, zëdhënës pa zë , si “diçka qaty” apo edhe të e provojnë fatin e tyre me ndonjë kandidaturë. Prandaj ky lëmsh, ku çdokush është pas dikujt dhe pa e ditur mirë pse e në çfarë cilësie ka shkaktuar një deformim të shoqërisë, duke ia larguar mundësinë e kritikes objektive dhe të votimit racional pa e “shitur” votën për premtime dhe shpresa të përfitimit personal e familjar.
Dhe fakti i tretë që kontribuon në hutimin e zgjedhësit janë mediet, që kanë influencë të madhe në vendimin e elektoratit dhe në krijim e atmosferës pro- dhe kundër- një ose më shumë subjekteve politike. Afërsia apo edhe varësia e tyre- qoftë e hapur qoftë latente, me ndonjë parti ose me grupe të interesit qe i përkasin një partie të caktuar ka quar në favorizimin apo disfavorizimin e një spektri politik apo edhe deri në fanatizmin partiak. Bile edhe sondazhet elektorale janë bërë sikur me parapagim dhe vështirë se mund të jenë objektive në këtë vend ku çdo gjë shitet dhe blihet me pare.
Këto rrjedha të brendshme politike e sidomos tash para zgjedhjeve kanë bërë të qartë shumë anomali në këtë shoqëri dhe e kanë degraduar politikën deri në demagogji të thatë. Kjo jo veç që tregon më së miri për mjerimin politik por ilustron qartë se politika e tanishme kosovare në fakt është një parapolitikë dhe se kjo shoqëri deri në vetëdijesimin e saj të plotë dhe emancipimin demokratik do të duron ende këtë lloj (para-) politike.

Keine Kommentare: